AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Pyetje 1

Kërkoj informacion mbi mënyrën e përfitimit nga skema për 2ha pemtari dhe 150 krerë bagëti (dele)? Çfarë dokumentacioni duhet të përgatis dhe ku duhet t’i paraqesim?

Përgjigje 1

Për pemtarinë përfitohet në bazë të prodhimit të dorëzuar në pikat e grumbullim/ përpunim- it, kundrejt faturave tatimore të dorëzuara Skema numër 1.

Për të imtat, keni mundësi të aplikoni për të përfituar nga skema e qumështit skema numër 9, dhe nga skema numër 11 kundrejt krerëve të matrikulluar 1,200 lekë për krerë, nga skema e dorëzimit të të imtave në thertore të liçensuar kundrejt faturave të shitjes së mishit dhe dorëzimit të lëkurëve në pikat e grumbullim/ përpunimit sipas skemës numër 12.

  

Pyetje 2

Përshendetje jam fermer në M.Ma dhe nuk e kuptoj përse duhet hapur nr. llogarie në BKT kur unë e kam të hapur një Nr. llogarie në Raiffaisen bank. Ju lutem më ktheni përgjigje pasi humbet shumë kohë për të hapur numër llogarie në atë bankë, pasi ka shumë rradhë sepse njerëzit rekomandohen që nr e llogarisë ta hapin vetëm në këtë bankë?

Përgjigje 2

Në aplikim të jetë vërtetimi nga Banka ku ke llogari me firmë dhe me vulë të njomë.

 

Pyetje 3

Në rastin e aplikimeve në Grup fermerë, Sistemi i ujitjes duhet të jetë unik për gjithë sipërfaqen apo për çdo parcelë i veçantë (një pus, një depozitë , një dozator apo disa për çdo parcelë)?

A duhet domosdoshmërisht që një prej fermerëve të ketë siperfaqe minimalisht 5 dynym?

Përgjigje 3

Në rastin skemës së ujitjes me pika kur aplikojnë grup fermerësh, për aplikimin në grup fermerës është proçedura e njëjtë si kur të ishte aplikant i vetëm, në këtë rast duhet që ngastrat të jenë jo më pak se 5 dynym në bllok. Impianti i ujitjes me pika është unik dhe duhet të plotësojë nevojat e ujitjes për të gjithë sipërfaqen që aplikohet. Kjo gjë do të verifikohet edhe ne terren, por nëse është e nevojshme për hapje pusi shtesë të aplikohet në skemën 20.

 

Pyetje 4

Pershndetje un Jam Avni FAQOLLI (SPATHAR, LIBRAZHD) dhe kam te rregjistruar 300 krere dele. dhe nuk po mar dot shperblimin qe me takon me Ligj. viti 2011 KODI 068, viti 2013 kodi 191, viti 2014 300. Ju lutem me thoni se ku ka ngelur procedura. Jam ne pritje te pergjigjes tuaj. Faleminderit dhe pune te mbare?

Përgjigje 4

Për aplikimet e viteve 2011 dhe 2013, financimi për skemat mbështetëse është brenda vitit kalendarik të viteve respektive. Për Aplikimin e vitit 2014 ju bëjmë me dije se Ju keni aplikuar për skemën: Mbështetja fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1,200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, skema nr 11.

Aplikimi Juaj është vlerësuar nga Drejtoria e Bujqësisë Elbasan, me 75 pikë dhe në listën e vlerësimit jeni renditur në vendin 23 nga 100 aplikime gjithsej të kualifikuara. Bazuar në fondet në dispozicion për skemën që keni aplikuar, ju bëjmë të ditur se aplikimi juaj nuk përfshihet në fondin për financim. Fondi ka qene i mjaftueshëm për 18 aplikimet e para të renditura në listën e vlerësimit për skemën nr. 11 për rrethin Librazhd.

 

Pyetje 5

Pershendetje Jam Nuri Bejko nje blegtor nga rrethi i Permetit i cili Kam 4 vjet qe kam ngriture ne zonen e Permetit nje tufe blegtorale (bageti te imta) mbi 250 krere. Po kam kaq vjete qe kam aplikuare per simbulimin qe jepe ministria juaj per blegetoret. Kam aplikuare ne Permet dhe arsyet qe me kan nxjere per mos perfitimin e ketij simbulimi ka qen se une jam Pensionist dhe mu mohonka e drejta per perfitimin e ketij simbulimi. Pres nga ju sjarimin e kesaj situate . Me Respekt Nuri Bejko

Përgjigje 5

I nderuar Z. Nuri Bejko, Nga verifikimi i rastit tuaj për aplikimin/aplikimet për mbështetje për mbarështimin e të imtave dhe informacionit shkresor që disponojmë në AZHBR, rezulton se nuk qëndron pretendimi juaj. Aplikimi juaj është konsideruar nga Drejtoria e Bujqësisë Gjirokastër, dhe ju jeni të renditur në listat e vlersërimit për rrethin tuaj.

 

Për më tepër, ju sqarojmë si më poshtë vijon:

  1. Ju keni aplikuar në vitin 2012 për 220 krerë dhe jeni financuar për 100 krerë, në vlerën 50,000 lekë në zbatim të udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave nr. 2, datë 14.02.2012 për “Pagesën me 500 (pesëqind) lekë/kokë dele dhe ose dhi të matrikulluara për fermerët që mbarështojnë jo më pak se 100 krerë”.
  2. Ju keni Aplikuar në vitin 2013 për mbështetje për blegtori sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave nr. 1, datë 01.02.2013, për skemën e mbështetjes për mbarështimin e të imtave “Në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë dele ose dhi të matrikulluara për fermerët, të cilët mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë”.
    Ju keni aplikuar për 200 krerë të imta, jeni vlerësuar me 75 pikë dhe jeni renditur në listën e vlerësimit të aplikimeve në numrin rendor 109 nga 318 aplikime gjithsej për rrethin Përmet. Fondi ka qenë i mjaftueshëm për 100 aplikimet e para sipas renditjes.
  3. Ju keni aplikuar në vitin 2014 për mbështetje për blegtori sipas udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Bujqërisë dhe Ministrisë së Financave nr. 4, datë 11.04.2014, në skemën e mbështetjes për numrin e krerëve të të imtave “Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1,200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë”.

    Ju keni aplikuar  për 200 krerë të imta, jeni vlerësuar me 71.667 pikë dhe jeni renditur në listën e vlerësimit të aplikimeve në numrin rendor 180 nga 367 aplikime gjithsej për rrethin Përmet. Fondi ka qenë i mjaftueshëm për 56 aplikimet e para sipas renditjes.

 

Ju ftojmë që të aplikoni për vitin 2015 për skemën e mbarështimit të të imtave. Vlerësimi i aplikimit tuaj potencial do të bëhet në komisionin e Pranim-Vlerësimit e ngritur në rrethin Përmet dhe në përputhje me fondet për financim për Qarkun/Rrethin/skemën për mbështetje, do të njoftoheni nëse aplikimi juaj do të jetë fitues.

Për çdo informacion të mëtejshëm, jeni i lutur të drejtoheni në zyrat e AZHBR, Tiranë ose në Drejtorinë e Bujqësisë Gjirokastër.

 

Pyetje 6:

Pershendetje. 

Jeni shume te sakte ne 2012 eshte mare shuma e cilesuar nga ju.

Ju lutem dua te me sjaroni se ne cfare kriteresh renditen blegtoret perfitues te simbulimit blegtorial? 

Cilet jan kriteret kryesore dhe si vlersohen piket?

 

Pergjigje 6:

 KRITERET E PËRFITIMIT

  1. Përfitojnë aplikantët e qarqeve dhe rretheve sipas aneksit 1, faqe 2, bashkëngjitur këtij udhëzimi;
  2. Përfitues të kësaj mase mbështetëse mund të jenë:    Fermerë individualë, subjekte me status fizik, juridik ose SHBB; 
  3. Fermerët individuale të jenë të pajisur me ID e fermës/kartën ose Nipt-in e fermerit;
  4. Madhësia e tufës të jetë jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi të matrikulluara, por financimi të kryhet për jo më shumë se 300 krerë dele/dhi të matrikulluara;
  5. Të plotësojë detyrimisht rregjistrin e fermës për krerët, për të cilët aplikon sipas serive të matrikullimit;
  6. Të mos bëjë lëvizje të krerëve (shitje, therrje), të deleve/dhive për të cilat ka aplikuar dhe përfituar financimin për mbarështimin brenda vitit kalendarik (deri 31 dhjetor 2015);
  7. Të deklarojë në formularin e aplikimit vendodhjen e tufës gjatë periudhës Prill-Dhjetor 2015. Në rast të ndryshimit të vendodhje së deklaruar më sipër të njoftohet inspektori i AZHBR.
  8. Krerët për të cilët aplikon të jenë të matrikulluara dhe lindje të viteve 2007 deri 2013;
  9. Tufa të jetë e pajisur me certifikatë/deklarim veterinare;
  10. Përfituesi të ketë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”, ku të përfshihet edhe muaji i fundit, para aplikimit;
  11.  Aplikantët nuk duhet të jenë debitor ndaj AZHBR apo MBZHRAU;
  12. Të ketë shlyer detyrimet ndaj OSHEE, ose të ketë lidhur akt-marrëveshjen me OSHEE për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura;
  13. Nga kjo masë mbështetëse mund të përfitojë vetëm një pjesëtar i familjes vërtetuar me çertifikatë familjare të periudhës Dhjetor 2014.

 

   KRITERET KONKURRUESE

 a. Numri i krerëve dele/dhi të matrikulluara      75 pikë

 b. Homogjeniteti i tufës                                  10 pikë

 c. Statusi aplikantit                                        10 pikë

 d. Përkatësia gjinore                                       1 pikë

 e. Mosha e aplikantit                                        4 pikë

 

 TOTALI                                                          100 pikë

 Faleminderit!

 

Pyetje 7:

Pershendetje!

ju lutem shume doja nje informacion lidhur me aplikimin qe kam bere ne 2014 per regjistrimin e deleve ne emrin Arjan Pashollari dhe Sokol Pashollari ne Korce. nuk kemi marre shperblimin nuk e di nese mund te na informoni se perse nuk na ka kaluar shperblimi prej 1200 lekesh per koke pasi gjith dokumentacioni ka qene i rregullt.

nuk dime ku te marrim informacion! 

 

Pergjigje 7:

Sipas udhëzimit te përbashkët të Ministrisë së Bujqërisë dhe Ministrisë së Financave nr. 4, datë 11.04.2014, në skemën e mbështetjes për të numrin e krerëve të të imtave “Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1,200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë”. Drejtoria e Bujqesise Korce ka pranuar dhe vlerësuar si aplikime te kualifikuara (aplikime me dokumente te rregullta) gjithsej 453 aplikime.

Aplikimi i z. Arjan Pashollarit është rendiur i 122-ti  me 73,33 pikë ndëkohë që për këtë skemë mbështetëse fondi ka qenë i mjaftueshëm për  104 aplikantë.

Aplikimi i z.Sokol Pashollarit është renditur i 144-ti  me 72,66 pikë ndërkohë që  për këtë skemë mbështetëse fondi ka qenë i mjaftueshëm për  104 aplikantë.

Faleminderit!

 

Pyetje 8:  

Kam plotesuar dokumentacionin per aplikimin per masat i-iii, pika b)  me gjithe kerkesat qe kerkon Udhezimi Nr 4. Date 22.02.2015 per Procedurat dhe Menyren e Administrimit e Fondit te Programit per Bujqesine dhe Zhvillimin Rural si vijon: 

- Formular aplikimi per aktivitet bleterritje

- NIPT-in e fermerit/ si individ 

- Certificate familjare 

- Fotokopje karte identiteti - Vertetim banke per numrin e llogarise 

- Vertetim nga OSSHE per shllyerje detyrimesh 

- Vertetim nga sigurimet shoqerore

- Vertetimin nga DB per ku vertetohet aktiviteti i aplikantit dhe numri i koshereve qe disponon (300 koshere) 

Nga Komisioni i Pranimit dhe Vleresimit te Aplikimit prane DB Vlore nuk jam orientuar se si te veproj per t`u pajisur nga Zyrtari i Autorizuar me certifikate/deklarate veterinarie te bleteve me justifikimin se e ke banimin ne Vlore dhe veterineret e DB nuk leshojne certifikata pasi punojne ne zona te caktuara jo te qytetit Vlore.

Nuk u more parasysh, fakti se aktiviteti yne per mbareshtimin e bleteve zhvendoset ne periudha te ndryshme te vitit ne fshatrat Treblove, Radhime, Llogora e Syri i Kalter/Qafe te Muzines.

Sot ishte afati i fundit dhe Komisoni i Pranimit dhe Vleresimit te Aplikimit i ngritur prane DB Vlore, me refuzoi aplikimin per shkak te mungeses se ketij dokumenti.

Ju lutem kerkoj informacion ne lidhje me menyren se si te procedoj me tej per te paraqitur nje ankese zyrtare ndaj DB Vlore, pasi mendoj se procedura ka qene e padrejte dhe e paragjykuar per aplikantet qe regjistrohen per here te pare dhe per me teper duke disavantazhuar grate kur ky udhezim i trajton ne menyre te vecante.

 

Pergjigje 8:

Përshëndetje,

Në lidhje me kërkesën tuaj për aplikimin në skemën mbështeste të mbarështimit të bletëve ju sqarojmë si më poshtë vijon: 

Për secilat nga skemat e subvencionimit te bujqësisë ose blegtorisë, duhet të plotësohen qe te gjitha kriteret e parashikuara ne Udhëzimin nr. 4, date 25.02.2015. Është kriter skualifikues mos paraqitja e një prej dokumenteve të cilat kërkohen për të bërë aplikimin për në një nga skemat e mbështetjes.

Për rastin tuaj jemi konsultuar edhe me grupin e pranim dhe vlerësimit te aplikimeve për rrethin Vlore. Mos marrja e këtij dokumenti është përgjegjës vetëm e Drejtorisë së Bujqësisë.

Per marrjen e mëtejshme te informacionit duhet te drejtoheshit tek Zyra e Drejtorise Bujqesise Vlore.

Faleminderit!

 

Pyetje 9:

Pershendetje jam Shpetim Milani nga shkodra , kam aplikuar per skemen e sovencionimit ne blektori ne vitin 2014 me te gjitha dekomentat e kerkuara. Me  eshte thene nga punonjesit qe ne dhjetor 2014 do te derdhen leket ne llogarin tuaj ,ka kaluar dhjetori erdhi janari 2015 dhe me eshte thene qe do presni deri ne mars dhe ne fund ne mars me eshte thene leket tuaja qeverija i ka cuar ne lushnje per te demshperblyer te permbytirit ju lutem me ktheni nje pergjigj  sepse do i shkruaj edhe kryministrit flm .

 

Pergjigje 9:

Zoti Shpetim Limani ka aplikuar per skemen mbeshtetje e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë.Aplikikimi eshte pranuar dhe vlerësuar nga Drejtoria e Bujqesise Shkoder. Mbas perfundimit te vleresimit,aplikanti  eshte kualifikuar dhe eshte renditur ne listen e vlerësimit me numer rendor 51. Per rrethin shkoder per vititn 2014 ishin 98 aplikeme te kualifikuara gjithsej. Fondi i vene ne dispozicion per kete skeme ne kete rreth ishte i mjaftueshem per 11 aplikimet e para.

 

Pyetje 10:

Pershendetje,
Une kam deshir te hap nje ferm me moll ne ersek me siperfaqe toke 4 hektar.
Do te doja nje ndihm nga ju qe si mund te perfitoj fondin per investimin e fermes,
Gjithashtu ne berat i kam 300 rrenj ullin, por kam deshir te mbjell edhe 300 rrenj te tjera, por dua nje mundesi nga ju per financim.
Ne pritje te nje pergjigje nga ju.

Pergjigje 10:

Per vitin 2015 aplikimet per skemat mbështese ne blegtori dhe ne bujqësi jane mbyllur ne date 3 Prill 2015. Nese jeni e interesuar qe te perfitoni nga skemat mbeshtetese duhet qe jeni ne kontakt te vazhdueshem me Drejtorine e Bujqesise te Qarkut Korce, ose me faqen tone zyrtare te internetit www.azhbr.gov.al per te marr informacionin e nevojshem per menyren e aplikimit, kriteret e perfitueshmerise si dhe informacionin per periudhen e aplikimeve.

 

Pyetje 11:

Pershendetje Zonje/Zoteri
 
Kam mbjelle 2.3 ha me ullij dhe 1.6 ha me manaferra te buta. Perkatesisht 1000 rreje ullij dhe 5000 rreje manaferra.  Kam instalur sistem ujitje me pika si per ullijt ashtu edhe per manaferrat. Jam i interesuar nese perfitoj ndonje subvencion per projektin qe kam investuar.


Pergjigje 11:

Referuar kerkeses suaj duam t’ju sqarojme se AZHBR realizon implementimin e Skemave Mbeshtetese ne Bujqesi duke u bazuar ne Udhezimin e Perbashket te MBZHAU dhe MF , i cili percakton qarte skemat mbeshtetese dhe kriteret perfituese per cdo vit kalendarik. Nje nga kriteret kryesore te ketij udhezimi,eshte qe skemat e mbjelljeve dhe ujitje me pika per te cilen ju interesoheni duhet te jene investime te reja  te vitit perkates. Per te qene me te qarte ,ju mund te aplikoni ne vitin 2016 , per nje investim qe keni planifikuar ta kryeni kete vit.
 

Pyetje 12:

Jam Habibe Hajdini, specialiste e mjedisit, Bashkia Roskovec.

Kam nje rast te nje personi i cili do te aplikoje per te hapur nje dhome frigoriferike, ju lutem mund te me shpjegoni pak proceduren se si duhet te aplikoje, rrugen qe duhet te ndjeke dhe lejet qe duhet per kete.

Mbetem ne pritje te pergjigjes suaj.

 

Përgjigje 12:

Përshëndetje Zj. Hajdini,

Lidhur me kërkesën tuaj për informacion sa i përket dhomave frigoriferike, ju bëjmë me dije se i gjithë informacioni që ju kërkoni do të gjendet në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për Përcaktimin e kriteve bazë të sektoreve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural” si dhe në Udhëzimin “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit të bujqësisë dhe zhvillimit rural” të cilët sapo të aprovohen do të publikohen në websitin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (www.azhbr.gov.al)

Për të patur një ide sa më të saktë për kriteret, masën e përfitimit, skemat mbështetëse si dhe mënyrën e aplikimit për vitin 2015, mund të shqyrtoni këto dy dokumenta të cilat i gjeni publikuara në www.azhbr.gov.al   

 

Pyetje 13:

Jam nje ish fermer  nga Shkodra, kam pasur nje stall modeste derrash per majmerim nga 2011 deri 2013, por per arsye se mu ankuan disa komshi nga era qe leshonte kjo stall, u detyrova ta mbyll si aktivitet, sepse ishin shtepit e banimit shum afer nga stalla.

Mundesisht desha te me jepni nje informacion si mund te aplikoj per  nje kredie nga Azhbr ?

Dua te theksoj se ky aktivitet qe kerkoj te mbeshtetem me nje kredi eshte krejsisht nga fillimi.

Une kam nje projek te  ber qe tregon me statiska te sigurta  te ardhurat qe siguron projekti me posht.

Kam deshir te bej nje stall larg shtepiave.

 1- Per 30 krere lope,

2- Per 60 Viqa per majmerim ne vit,

3- Per 120 Gica per majmerim ne vit,

4- Per 50 sgjoje Bletë,

5- Per 200 Pula per veze,

6- per 1000 Zogj pulash  per mish,

7- Per 50 cop Dhijë

Mundesisht ju lutem te me jepni nje pergjigje ?

 

Pergjigje 13: 

Përshëndetje,

Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, ju bëjmë me dije se i gjithë informacioni që ju kërkoni do të gjendet në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për Përcaktimin e kriteve bazë të sektorit që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit pë bujqësinë dhe zhvillimin rural” si dhe në Udhëzimin “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit të bujqësisë dhe zhvillimit rural” të cilët sapo të aprovohen do të publikohen në websitin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (www.azhbr.gov.al)

Për të patur një ide sa më të saktë për kriteret, masën e përfitimit, skemat mbështetëse si dhe mënyrën e aplikimit për vitin 2015, mund të shqyrtoni këto dy dokumenta të cilat i gjeni publikuara në www.azhbr.gov.al   

 

Pyetje 14:

Jam nje specialst it qe punoj ne shtet,lexova nje lajm ne media qe fliste per subvencion per serat apo dhe bagetite e imeta,babai im zoteron nje ferme te vogel prej 130 delesh dhee 25 dhi si dhe siperfaqe te konsideerueshme te mbjellash,ai i pajisur me karten e fermerit ka aplikuar cdo vit per subvencion ka plotesuar dokumentacionine nevojshem por asnjehere nuk ja kan miratuar por cdo vit e kane genjyer nderkohe keto subvencione per nje tufe delesh jane shperndare personave te ndryshem disa here,dua tju drejtoj dy pyetje
1-si duhet te veprojme per te mare subvencion per fermen me bageti?
2-cfar rruge duhet ndjekur pasi kam ne plan te ndertoj nje sere me siperfaqe 0.5ha dhe te mar subvencionin?

Gjithe te mirat! 

Përgjigje 14:

Përshëndetje,

Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, sa i përket subvencionimit për fermën me bagëti si dhe për mënyrën e procedimit për sa i përket ndërtimit të serës, ju bëjmë me dije se informacioni i plotë si dhe dokumentacioni i nevojshëm i kërkuar për aplikim gjendet i publikuar në webin zyrtar të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural www.azhbr.gov.al

 VKM Nr.91, datë 10.02.2016 “Për Përcaktimin e kriteve bazë të sektorit që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit pë bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2016” si dhe Udhëzimi Nr.2, datë 17.02.2016 “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit të bujqësisë dhe zhvillimit rural”, të publikuar në www.azhbr.gov.al, përmbajnë të gjithë informacionin mbi skemat që do të mbështeten gjatë vitit 2016, kriteret, masën e përfitimit si dhe mënyrën e aplikimit që do të ndiqet gjatë vitit 2016.

Faleminderit,

 AZHBR!

 

Pyetje 15:

 Pershendetje!

 Doja te dija nese ka ndonje program subvencioni per ferma kermilli per kete vit.

 Faleminderit!

 Pergjigje 15:

 Përshëndetje,

 Ju bëjmë me dije se AZHBR gjatë vitit 2016 është e angazhuar në zbatimin e skemave mbështetëse të Udhëzimit Nr.2, datë 17.02.2016 “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit të bujqësisë dhe zhvillimit rural”, në të cilin është përcaktuar edhe skema për “Mbështetjen e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, kundrejt faturës tatimore përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 20,000,000 lekë për subjekt, për  ngritje dhe/ose rikonstruksion të ambienteve për mbarështim të kafshëve, shpendëve, peshkut dhe molusqeve”. I gjithë informacionin mbi këtë skemë por edhe mbi të gjitha skemat që do të mbështeten gjatë vitit 2016, kriteret, masën e përfitimit si dhe mënyrën e aplikimit që do të ndiqet do të mund ta gjeni në  Udhëzimin Nr.2 të publikuar në webin zyrtar www.azhbr.gov.al    

 Faleminderit për interesimin,

 AZHBR!

 

  Pyetje 16:

 Pershendetje, do doja te dija skemat kombetare per vitin 2016.Me respekt Mikel Liçaj.

 

 Përgjigje 16:

 Përshëndetje Z. Liçaj,

 Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, sa i përket skemave mbështetëse të vitit 2016, ju bëjmë me dije se informacioni i plotë si dhe dokumentacioni i nevojshëm i kërkuar për aplikim gjendet i publikuar në webin zyrtar të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural www.azhbr.gov.al.

 VKM Nr.91, datë 10.02.2016 “Për Përcaktimin e kriteve bazë të sektorit që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit pë bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2016” si dhe Udhëzimi Nr.2, datë 17.02.2016 “Për procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit të bujqësisë dhe zhvillimit rural”, të publikuar në www.azhbr.gov.al, përmbajnë të gjithë informacionin mbi skemat që do të mbështeten gjatë vitit 2016, kriteret, masën e përfitimit si dhe mënyrën e aplikimit që do të ndiqet gjatë vitit 2016.

 Faleminderit,

 AZHBR!