info@azhbr.gov.al
Tel: 08008383
E hënë – E premte

Halil Dedej: Traktori i financuar nga IPARD më ndryshoi jetën

“E them sinqerisht dhe le ta dinë të gjithë fermerët shqiptarë, nuk i kam miq punonjësit e AZHBR-së. Kanë ndenjur në dispozicion të fermerit për të orientuar, duke më  sqaruar për dokumentet që më mungojnë. Nuk janë lodhur për asnjë moment për të na sqaruar”, është qëndrimi që fermeri nga Ndroqi i Tiranës ka ndaj këtij institucioni. Halili prej 30 vitesh merret me bujqësi dhe blegtori. Thotë se është i kënaqur nga të ardhurat që fiton nga toka dhe blegtoria.

Aktualisht ka kultivuar rreth 10 ha tokë me kultura të ndryshme, si misër, jonxhë, pjepër, shalqi, e të tjerë.  Gjatë një takimi që drejtorja e AZHBR-së Frida Krifca pati me Halilin, ky i fundit e sqaroi për përfitimet që i sjell traktori i blerë nga fondet e IPARDI-t. “Traktori është i jashtëzakonshëm. Punën e bën shumë cilësore, e bën për një kohë shumë më të shpejtë. Bën volum pune. Tokën e punon deri në 50 cm thellësi. Kjo është e mirë për cilësinë prodhimit bujqësor. Në këtë sipërfaqe tokë synoj që të nxjerr rreth 200 kv pjepër. Kemi dy varietete që e kam mbjellë me farë”, tregon ai.

Shqetësimi i drejtores së Përgjithshme të AZHBR-së Frida Krifca ishte nëse fermeri ka hasur vështirësi në aplikimet online, të cilat kanë disa vite që bëhen në këtë formë.

“Vitet e para na kërkonin shumë dokumente, tek tatimet, tek bashkia, taksë toke, deri tek fatura e dritave. Këto dokumente ishin shumë dhe të palogjikshme them unë sepse nëse nuk paguan dritën ta pret ai tjetri, kurse tokën do e punoj. Këto pengesa janë hequr të gjitha. Duhet vetëm që lopët t’i kesh të matrikulluara, të kesh faturën e dorëzimit të qumështit. Këto vitet e fundit janë shumë po shumë më të lehta”, flet për përvojën e tij Dedej.

Fermeri nga Ndroqi ka përfituar nga IPARDI  blerjen e një traktori, i cili është një agregat bujqësor me teknologji të lartë. Vlera e grantit është  5.9 milion lekë të reja. Me këtë traktor, Halili arrin që të punojë, tokën, ta frezojë atë dhe njëkohësisht të transportojë mallin nga toka tek vendi i magazinimit. Investimi ul koston e prodhimit bujqësor deri 3.2 %. Nga ana tjetër, ky mjet bujqësor rrit rendimentin në punë dhe cilësi.

Leave Your Reply

Your email address will not be published.

*