info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Drejtori i Përgjithshëm AZHBR

Frida Krifca
Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

Nënë e dy vajzave, Zj. Frida Krifca ka përvojë 22-vjeçare në administrim e menaxhim, me fokus të veçantë ndaj zhvillimit të sektorit financiar, përdorimit të shërbimeve financiare si dhe zhvillimit të biznesit, duke përmbushur objektiva ekonomike, ligjore e strukturore kombëtare, ndërkombëtare dhe integruese.

Zj. Krifca drejton Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) prej muajit korrik, 2017. Krifca është përgjegjëse për administrimin e skemave mbështetëse të buxhetit të shtetit në mbështetje të fermerëve, duke siguruar transparencë dhe garantuar mekanizma kontrolli në investime dhe pagesave direkte, të cilat nën udhëheqjen e saj janë transferuar në procese on-line dhe me zero dokumente. Nën drejtimin e Zj. Krifca, institucioni ka mundur të administrojë buxhetin më të lartë të vënë në dispozicion të fermerëve si dhe ka mundur të akreditojë AZHBR për administrimin e fondeve Europiane në dispozicion të fermerëve. Krifca mundësoi zbatimin e programit IPARD, duke i vënë në dispozicion fermerëve shqiptarë 94 milionë euro për mbështetje në investime në fermë, investime në agro-përpunim dhe zhvillim rural. Krifca ka rritur kapacitetet e agjencisë cilësisht dhe ka mundur të ketë përthithje të plotë të fondeve IPA. Gjithashtu, ka zgjeruar aktivitetin e shërbimeve duke hapur 20 Agropika, dritare shërbimi ndaj fermerëve në të gjithë vendin.

Më parë Krifca ka punuar për katër vite si Drejtore për Shqipërinë për Trupat Vullnetare të Shërbimeve Financiare (FSVC), një OJQ me zyra qëndrore në New York. Si drejtuese për Shqipërinë, për llogari të USAID, ka ofruar asistencë teknike për institucione financiare publike dhe ka identifikuar, zhvilluar e menaxhuar projekte të shumta të asistencës teknike me karakter zhvillues, financiar, fiskal e ligjor në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit. Ka menaxhuar buxhete grantesh e programesh disa milionë dollarësh, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar, përmirësimin e mjedisit të biznesit, financat bashkiake, pagesat nëpërmjet internetit, reformat ligjore e rregullative, si dhe partneritetin publik – privat. Krifca ka vlerësuar progresin e Shqipërisë kundrejt objektivave të vendosura për reformën financiare, ka hartuar propozimet buxhetore për USAID-in e donatorë të sektorit privat dhe ka qenë bashkautore e raporteve të shumta të fizibilitetit dhe vlerësimit.

Para se t’i bashkohej FSVC-së, ka punuar për Tirana Bank si Drejtore Marketingu dhe Marrëdhëniesh me Publikun, pas disa viteve përvojë në fushën e menaxhimit dhe strategjive në Agna Group. Më parë ka punuar në FSVC si Oficere Programi.

Është diplomuar nga Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë, dega Administrim Biznes dhe mban titullin Master i Shkencave në Administrim Biznesi (MBA) nga Fakulteti i Administrim Biznesit pranë Universitetit Akron në Ohajo, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes programit të bursave Fulbright të Departamentit të Shtetit. Ka marrë pjesë në programe të ndryshme zhvillimi personal e profesional brenda dhe jashtë vendit si dhe ka ndjekur programe leadership-i, për rritjen ekonomike nga Universiteti Harvard në Boston.

frida.krifca@azhbr.gov.al