AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Qeveria Shqiptare për të dytin vit radhazi vijon të mbështesë fermerët shqiptar, në kuadër të modernizimit të fermave bujqësore. Edhe për vitin 2015, Agjencia e Pagesave ka mbështetur financiarisht në masën 50 përqind të investimit, të gjithë ata sipërmarrës të cilët janë shpallur fitues. Vizita e rradhës në kuadër të inagurimeve u zhvillua në Rrethin e Lushnjës në një pikë grumbullimi dhe përpunimi të produkteve bujqësore. Në promovimin e kësaj skeme investimi morrën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë Z. Edmond Panariti, Deputet të zonës, Prefekti i Qarkut, Kryetari i Bashkisë, Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Znj. Suela Popa, Drejtori i Bujqësisë Lushnjë, përfaqësues të shoqërisë “Agro-Lev 2” shpk, si dhe fermerë të zonës.

Shoqëria "Agro-Lev 2" shpk ushtron aktivitetin e saj në fushën e grumbullimit dhe përpunimit të fruta-perimeve, si dhe në fushën e tregtimit me shumicë dhe pakicë të inputeve bujqësore.Shoqëria ka si mision rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së produkteve të frtua-perimeve, duke nxitur dhe mbështetur fermerët në zonën e Lushnjës dhe Fierit me anë të vënies në dispozicion të inputeve bujqësore bio dhe të çertifikuara nga BE. Pikërisht në këtë mënyrë, kompania dhe fermerët përfitojnë në dy drejtime: Kompania ka në kontroll cilësinë e produktit final, duke qëne se është ajo që furnizon fermerët me inputet bujqësore bio, si dhe fermerët specializohen dhe nxiten drejt përdorimit të inputeve bujqësore bio të çertifikuara nga BE.

E gjithë gama e fruta-perimeve  të grumbulluara, përpunuara dhe paketuara do të eksportohen drejt Italisë dhe Spanjës fillimisht, dhe në vazhdim drejt vendeve të tjera të interesuara të Bashkimit Evropian. Partneriteti publik privat në financimin e linjave të përpunimit dhe amballazhimit modern sipas standardeve më të fundit, e blerë nga kjo shoqëri, së bashku me prodhimet bio të fermerëve shqiptarë do të bëjnë të mundur që produktet  e kompanisë të konkurrojnë denjësisht edhe në tregjet e cilësisë më të lartë të BE-së.

Për kultivimin produkteve  kompania ka ofruar asistencë agro-teknike së bashku me partnerët e saj në Itali e Spanjë dhe ka furnizuar fermerët me farën dhe fidanët e duhur dhe cilësor për mbjellje. Kjo nismë ofron një impakt të shumëfishtë si në rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e jetesës së fermerëve, ashtu dhe në rritjen e cilësisë së produktit final që do të shkojë drejt konsumatorit.