info@azhbr.gov.al
Tel: 08008383
E hënë – E premte

AZHBR mbështet kompaninë “Gjedra SHPK” në investimin prej 557 mijë Euro

Kryeministri Edi Rama dhe drejtorja e AZHBR, Frida Krifca më datë 21 shtator, vizituan kompaninë e grumbullimit të bimëve medicinale “Gjedra shpk” dhe panë nga afër investimin e ri që është mbështetur nga programi IPARD.

Investimi i cili konsiston në ndërtimin e një magazine të re dhe vendosjen e dy furrave për tharje kap vlerën prej 557 mijë euro dhe mbështetet nga granti që kap shifrën 223 mijë euro.

Gjergji u shpreh se investimi në kompaninë e tij ishte shumë i nevojshëm pasi fermerët apo tregtaret e vegjël nuk i kishin kushtet higjeno-sanitare për të tharë mollën.

“Molla nuk mund të thahet në të njëjtin ambient me bimët medicinale të tjera dhe kështu që ishte i nevojshëm ndërtimi i një ambienti të posaçëm. Në total ne marrim 1400 ton frut molle të njomë, të cilën e trajtojmë në këto furra dhe magazinën e re”, tha gjatë takimit me Kryeministrin dhe kreun e AZHBR-së.

Falë këtij investimi “Gjedra shpk”, tani do të rrisë kapacitetin e saj përpunues dhe numrin e punëtorëve.

Kompania “Gjedra shpk”, pjesën më të madhe të bimëve medicinale dhe frutave e çon për eksport në SHBA, Gjermani, Itali, Spanjë, Maqedoni, Bullgari, Hungari, Greqi, e të tjerë. Kërkesat e shumta nga vendet e BE-së, kanë bërë që kompania të grumbullojë dhe eksportojë pothuajse të gjitha bimët medicinale që gjenden në territorin e Shqipërisë.  Janë 3500 fermerë që bashkëpunojnë me Gjergjin, të cilët e grumbullojnë bimën medicinale dhe e tregtojnë tek ai.

“Me investimin e ri nga programi IPARD, këta bashkëpunëtorë të Gjergjit do të kenë mundësi që të sjellin tek ai jo vetëm bimët medicinale por edhe fruta, që do të thahen dhe më pas eksportohen jashtë”, i tha Krifca kryeministrit Rama.

Përfitimet që “Gjedra shpk” ka marrë nga AZHBR

Për të konsoliduar dhe çuar përpara këtë industri, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e ka mbështetur kompaninë “Gjedra shpk” edhe më parë. Në vitin 2015, ka përfituar nga programi IPARD –Like një financim prej 31,804,801.51 lekësh. Investimi ka shërbyer për blerjen e një makinerie të kushtueshme, por shumë të rëndësishme për biznesin pasi shërbente për pastrimin e çdo lloj papastërtie që ndodhet tek bimët medicinale.

Tashmë është kontraktuar në thirrjen e I të programit IPARD II, investim që ka shkuar për ndërtimin e një magazine të re, për tharjen dhe tregtimin e frutave dhe bimëve medicinale dhe dy furra që do shërbejnë për tharjen e tyre. Investimi në tërësi parashikon grumbullimin dhe tharjen e frutave; mollë, boronicë dhe eksportimin e tyre jashtë Shqipërisë, në përputhje me standardet  evropiane. Furrat e tharjes kanë një kapacitet 5 ton në ditë.

Me këtë investim, “Gjedra shpk”, synon zgjerimin e portofolit të produkteve që përpunon dhe eksporton dhe njëkohësisht synon, që përveç tregut të bimëve medicinale, të jetë një faktor dhe në tregun e përpunimit të frutave.